
Një aksident automobilistik me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur pasditen e sotme, në aksin rrugor Tapizë–Fushë-Krujë.
Rreth orës 16:50, në vendin e quajtur “Arrameras”, janë përplasur dy automjete: njëri i drejtuar nga shtetasi K. C. rreth 44 vjeç dhe tjetri nga shtetasi M. S. rreth 18 vjeç.
Si pasojë e përplasjes së fortë, ka humbur jetën pasagjeri që udhëtonte në mjetin e 18-vjeçarit, i identifikuar si shtetasi egjiptian E. A., rreth 22 vjeç, i cili punonte si mekanik në një biznes.
Ndërkaq, vetë drejtuesi i mjetit, shtetasi M. S., ka mbetur i dëmtuar dhe është transportuar me urgjencë në spital, ku sipas bluzave të bardha ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident tragjik.



