
Policia e Elbasanit ka dhënë detaje nga aksioni i zhvilluar në Elbasan, ku në pranga u vu 38-vjeçari Seit Manahasa. Sipas policisë, Manahasa akuzohet se mori peng e dhunoi dy persona, burrë e grua.
“38-vjeçari Seit Manahasa në bashkëpunim me K.M., 37 vjeç, të dy nga Peqini, morën peng në hyrje të qytetit dhe i mbajtën për disa orë shtetasin G.M., dhe shtetasen F.D., duke u hequr lirinë në një poligon inertesh. Këta të fundit ishin kërcënuar dhe keqtrajtuar nga dy pengmarrësit. Pasi u keqtrajtuan, autorët u morën edhe 12 mijë Lekë të reja dhe i shantazhuan me qëllim që t’u jepnin një shumë parash prej 20 mijë Euro”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas disa orësh, 38-vjeçari Manahasa i liroi dy personat që mbante peng. Kanë qenë vetë ata që shkuan në polici dhe bënë denoncim ndaj 38-vjeçarit. Pas verifikimeve, forcat e Policisë së Elbasanit të mbështetura edhe nga RENEA, organizuan aksionin për kapjen e Seit Manahasës, ndërsa bashkëpunëtori i tij K. M., është shpallur në kërkim pasi nuk u arrit të gjendej.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënje pasurie”, “Vjedhja me dhunë” dhe “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim. Seit Manahasa është një emër i njohur për publikun dhe për autoritetet, pasi disa kohë më parë ka qenë i dyshuar si i përfshirë së bashku me babain në vrasjen e Emiljano Ramazanit, ngjarje e ndodhur më 20 Korrik 2020 në qytetin e Elbasanit. Por më pas çështja ndaj tyre u pushua dhe u lanë të lirë.



