
Trupi i Liridona Ademaj-Murseli do të rivarroset sot në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga familjarët.
“Njoftim mortor nga familja Ademaj. Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamirë se rivarrimi i vajzës tonë Liridona Ademaj, e vrarë me datën 29.11.2023, bëhet nesër me datë 4 dhjetor 2023 në varrezat e fshatit Rracaj në ora 14:00”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë thirrje të respektohet e drejta e privatësisë gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës, me kërkesë të familjarëve të Liridonës.
Gjithashtu, iu bëjmë apel që të tregoni konsideratë karshi familjarëve të viktimës, lidhur me shkrimet e publikuara ndaj kësaj çështjeje, kjo pasi ka qenë kërkesë e vetë familjarëve të viktimës tek organet e hetuesisë, meqenëse në këto çaste janë duke përjetuar momente të vështira dhe kërkojnë të respektohet e drejta e privatësisë edhe gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës.
30-vjeçarja Liridona Ademaj, është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë të Prishtinës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji, në mesin e të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Ai është i dyshuar për organizim të vrasjes, Granit Plava është i dyshuar për kryerje të vrasjes dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.



