Eksperti i sigurisë Fatjon Softa tha në MCN Live se ligji i dikurshëm për Policinë e Shtetit ka qenë më i mirë se ligji i ri.
Sipas Softës ka disa përkeqësime që e vënë në vështirësi funksionimin e forcës policore. Ai vë në dukje se drejtori i përgjithshëm ka humbur disa kompetenca, ndërkohë që janë fuqizuar drejtuesit e qarqeve.
“Nëse do krahasojmë ligjin e ndryshuar me ligjin që ka qenë, unë them që ligji që ka qenë, ka qenë më i mirë se ky ligj. Ky ka disa përkeqësime që e vënë në vështirësi funksionimin e forcës policore. Unë mund të them me bindje që drejtori i përgjithshëm ka humbur disa kompetenca. Në momentin që një drejtues qarku, apo drejtues komisariati do të largohet për një arsye, për t’u shkarkuar, veprimi i parë është shpallja e vendit vakant. Duhet të mbledhësh 300 veta, ta fillosh nga fillimi për të emëruar dhe për të gjetur një person tjetër. Drejtori i përgjithshëm përveç se ka një kontroll financiar dhe kontroll të strukturës nga ana e burimeve njerëzore, s’ka ndonjë kompetencë të madhe. Maksimumi duhet të ngrejë një Task Forcë për të ushtruar funksionet e tij. Më shumë u kanë dhënë përparësi drejtuesve të qarqeve. Ka një lloj përkeqësimi ligji që ka bërë ndryshime Policia e Shtetit. Marrëdhënia me publikun çedon. Shpesh herë bëjnë gabime që s’janë të pranueshme. Por në tërësi ka një polici më komunikuese”.
Eksperti i sigurisë ngriti alarmin se po përdoret lëndë narkotike edhe nga fëmijët e moshës 9 vjeç.



