
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se këtë të hënë janë kryer mbi 20 mijë vaksinime në të gjithë vendin. Kjo është dita e dytë e vaksinimit masiv në Shqipëri.
“DITA 2 e vaksinimit masiv përfundon me shifrën domethënëse, 20.414 vaksinime, në të gjithë vendin =ShqipëriaBuzëqesh”, shkruan Manastriliu në “Facebook”.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama e cilësoi shifër të bukur numrin e vaksinimeve antikovid të realizuara sot në gjithë vendin, me procesin e vaksinimit masiv që nisi të dielën dhe që u shtri në qendrat shëndetësore sipas planit kombëtar të vaksinimit.
“Zemra mal”, u shpreh Kryeministri Rama.
“Dita e dytë e vaksinimit masiv përfundon me shifrën e bukur, 20.414 vaksinime, në të gjithë vendin. Do të vijojmë pa u ndalur, për t’u kthyer një orë e më parë në jetën e dëshiruar”, vijoi Rama.
Që prej fillimit të vaksinimit anti-COVID, në total janë kryer mbi 95 mijë vaksinime.



