
Ish-pjesëtari i Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviç u dënua para departamentit special të Gjykatës së Lartë në Beograd me 20 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në vitin 1999 në rrethinën e Pejës në Kosovë.
Ai u dënua se si komandant i brigadës 177 kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se kishte ditur për vrasje e grabitje, raporton N1.
Aktakuza përshkruan me detaje pushtimin e fshatrave, vrasjet, grabitjet, djegien e shtëpive dhe dëbimin e civilëve në drejtim të Shqipërisë.
Nëntë ish-anëtarë të UJ-së u gjykuan për krime lufte të kryera në katër fshatra të Kosovës afër Pejës, në prill dhe maj 1999, kur u vranë 118 shqiptarë.
Përveç Miladinoviqit, Predrag Vukoviç u dënua me 13 vjet, Abdulah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me pesë, ndërsa Llazar Pavloviç, Slavisha Kastratoviç dhe Boban Bogiçeviç, u dënuan me nga dy vjet.
Gjyqi filloi në vitin 2010, aktgjykimi i parë u dha në vitin 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e shfuqizoi atë në vitin 2015.



