Është identifikuar një nga autorët e grabitjes së vilës 3-katëshe në Zejmen të Lezhës.
Burimet për MCN bëjnë me dije se një nga autorët e dyshuar është Armand Zhejani 26-vjeç i cili është pikasur nga komshinjtë dhe është arritur të ndalohet nga këta të fundit deri në mbërritjen e policisë.
Ndërkohë është identifikuar dhe personi i dytë i cili vijon të jetë në arrati.
Kujtojmë se tentativa për grabitje u regjistrua mëngjesin e kësaj të marte, menjëherë pasi familjarët janë larguar nga banesa për në punë. Pas kësaj dy të rinjtë kanë tentuar të hyjnë brenda në banesë, por pasi kanë dëgjuar një sirenë ambulance kanë menduar se është policia dhe janë larguar menjëherë. Në këtë moment të rinjtë janë pikasur nga komshinjtë të cilët kanë mundur të ndalojnë njërin prej tyre.
Sipas të njëjtave burime njëri nga grabitësit ka hedhur menjëherë armën në ferra. Ndërkohë bëhet me dije se banesa rezulton në pronësi të Zef Therçaj, drejtor i shkollës së mesme Zejmen.



