
Organizatat e Shoqërisë Civile që veprojnë në fushën e mjedisit kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në proceset konsultuese të organizuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për sa kohë mbetet në fuqi Ligji nr. 21/2024, i cili ndryshon Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe, sipas tyre, hap rrugën për zhvillime dhe ndërhyrje në territore që duhet të gëzojnë nivelin më të lartë të mbrojtjes mjedisore në vend.
Në këtë kuadër, organizatat mjedisore kanë refuzuar të legjitimojnë tryezën e konsultimit publik për projektaktet e thirrura nga ministria më 12 qershor, duke bojkotuar takimin dhe duke mos paraqitur komente teknike.
Sipas tyre, ky vendim synon të shmangë përfshirjen në një proces që krijon perceptimin e një normaliteti institucional që, sipas tyre, nuk ekziston.
Në reagimin e tyre, organizatat theksojnë se, ndërsa diskutohet përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian, në terren po avancojnë projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike brenda rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura.
Sipas tyre, këto zhvillime cenojnë integritetin e ekosistemeve natyrore dhe ngrejnë pikëpyetje serioze mbi angazhimin e institucioneve për zbatimin e standardeve evropiane të mbrojtjes së natyrës.
Ky qëndrim mbështetet edhe në deklaratat dhe reagimet e mëparshme të organizatave mjedisore, të cilat kanë kundërshtuar vazhdimisht ndërhyrjet në zonat e mbrojtura dhe ndryshimet ligjore që, sipas tyre, dobësojnë mbrojtjen e këtyre territoreve.
Organizatat e Shoqërisë Civile e konsiderojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024, si dhe anulimin ose moslejimin e projektit për ndërtimin e resorteve turistike në Pishë Poro-Nartë, si kushte të panegociueshme dhe paraprake për çdo dialog të mëtejshëm institucional mbi çështjet e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Ky qëndrim merr një rëndësi të veçantë në një moment kur qytetarët, aktivistët dhe komunitetet lokale në mbarë vendin kanë protestuar për 12 ditë me radhë, duke kundërshtuar cenimin e zonave të mbrojtura dhe duke kërkuar mbrojtjen e trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.
Organizatat e Shoqërisë Civile mjedisore deklarojnë se ky bojkot nuk është një veprim simbolik i izoluar, por një qëndrim parimor që do të vijojë të mbetet i pandryshuar edhe për çdo proces të ardhshëm konsultues të thirrur nga institucionet përgjegjëse, deri në adresimin e kësaj çështjeje themelore.



