
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 84 vota pro paketën e ndryshimeve në Kodin Rrugor, të propozuar nga mazhoranca, pa vota kundër apo abstenim.
Amendamentet, të iniciuara nga deputetët Ulsi Manja dhe Erion Braçe, parashikojnë ashpërsim të masave ndaj shkelësve të përsëritur të rregullave të qarkullimit rrugor.
Sipas ndryshimeve të reja, drejtuesit e mjeteve që kapen duke drejtuar pa leje drejtimi nuk do të kenë të drejtë të pajisen me patentë për një periudhë njëvjeçare.
Ndërkohë, për të miturit, afati për marrjen e lejes së drejtimit shtyhet me dy vite nga momenti kur ata plotësojnë kushtet ligjore për ta përfituar.
Po ashtu, drejtuesve të mjeteve që kapen në mënyrë të përsëritur duke drejtuar në gjendje të dehur, me nivel alkooli mbi 0.5 g/l në gjak, do t’u hiqet leja e drejtimit përgjithmonë.
Ndryshimet synojnë rritjen e sigurisë rrugore përmes sanksioneve më të rrepta ndaj shkeljeve të rënda të Kodit Rrugor.



