
Arrestohet Arbër Çekaj, pronari i kompanisë "Arbri Garden", e cila kishte porositur ngarkesën me banana ku u gjetën 613 kg kokainë. Çekaj rezultonte në kërkim ndërkombëtar prej datës 10 mars të këtij viti dhe është arrestuar në Gjermani.
Ndaj tij, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë.
Në fillim të marsit, një kontejner me banane, që kishte mbërritur nga Kolumbia për llogari të kompanisë së Çekajt, brenda të cilit u gjetën 613 kg kokainë, u sekuestrua nga policia pasi kishte kaluar kontrollet në portin e Durrësit dhe mbërriti në magazinat e kompanisë. Kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur ndonjëherë në vendin tonë.
Arbër Çekaj ishte larguar drejt Gjermanisë 24 orë përpara se ngarkesa me drogë të kapej. Dy ditë pas ngjarjes ai tha se s’kishte lidhje me drogën dhe se do të kthehej në Shqipëri për të sqaruar çështjen. Për drogën e kapur në Maminas, janë arrestuar shoferi i kamionit që transportoi mallin dhe menaxheri i firmës ‘Arbi Garden’.



