Një sherr mes të rinjve është regjistruar në lagjen nr. 2 të qytetit të Korçës, në afërsi të kinemasë.
Sipas burimeve, në konflikt janë përfshirë disa të rinj, të cilët janë goditur me njëri-tjetrin me grushte, ndërsa dyshohet se janë përdorur edhe sende të forta.
Si pasojë e përplasjes, një person ka mbërritur i dëmtuar në spital.
Sipas bluzave të bardha, ai ka marrë dëmtime në trup, pasi dyshohet se, pas goditjeve, është rrëzuar në kangjella duke pësuar çarje.
I dëmtuari po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ndërsa pas konfliktit, të rinjtë e përfshirë janë larguar.
Grupi hetimor po sekuestron kamerat e sigurisë në bizneset e zonës dhe po merr në pyetje persona që mund të kenë qenë të pranishëm në momentin e sherrit.



