“Arrest me burg” caktoi Gjykata e Korçës mesditën e së hënës, për tre të ndaluarit për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço.
Të dyshuarit për krimin Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj qëndruan me kokën ulur në seancë, teksa u njohën me vendimin për të qëndruar pas hekurave në vijim të hetimeve.
Tre të dyshuarit akuzohen se e vranë Çeçon, pas konflikteve për një vajzë me të cilën viktima dhe një nga të ndaluarit kishin lidhje.
Avokati mbrojtës i Bledi Angjos, Lorik Zeqo thotë se dinamika e ngjarjes është zbardhur nga deklarata fillestare e klientit të tij i cili ka treguar për policinë se autor i vrasjes është Valter Mollaj, i cili ka qenë në lidhje me një vajzë e cila është bërë shkak për ngjarjen.
Ai ka bashkëpunuar me organet duke treguar që të tre të arrestuarit kanë qenë së bashku në mjet kur e kanë marrë nga banesa viktimën, dhe më pas e kanë çuar drejt rezervuarit ku e kanë mbytur dhe e kanë hedhur në ujë.
Sipas avokatit, ekzekutori i 26 vjeçarit është Valter Mollaj, ndërsa dy të tjerët janë bashkëpunëtorë dhe ndihmës në krim.
Vajza sipas të dhënave ka pasur lidhje me Valter Mollajn, dhe i ka treguar këtij të fundit që kishte komunikim edhe me Martin Çeçon. Gjatë seancës të tre kanë mbajtur qëndrim mohues duke mos pranuar krimin. Madje edhe vetë Bleti Angjo i cili bashkëpunoi me policinë, ka heshtur.
Nikolla Tollkuçi, kunati i Bleti Angjos njërit prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 26 vjeçarit e mohoi për mediat përfshirjen e të afërmit në vrasje.
Nuk ka mundësi që ai të ketë shkuar nga Marjani në Kolanec më këmbë, vetëm po ta ketë marrë Valteri me makinë, ai nuk kishte lidhje me vajzën për të cilën flitet që të jetë shkaku i vrasjes.
Ai kishte vetëm një telefon celular që ja kam blerë unë, edhe numrin e telefonit e ka në emrin tim.



