
Familjarët e Ervis Martinajt, i cili është shpallur i zhdukur që vitin e shkuar, kanë ankimuar vendimin e GJKKO-së, për sekuestrimin e 34 pasurive të tij.
Ato kërkojnë që pasurive t’u hiqet sekuestroja.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka regjistruar çështjen nr. 48 akti, datë 07.03.2023, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit A.K., D.K., D.M., E.M., E.M., F.V., M.M., R.M., V.M., ndaj vendimit nr. 5, datë 23.01.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka disponuar mbi sekuestrimin e disa pasurive.
Po në ditën e sotme, në orën 11:00, u hodh shorti elektronik, duke përcaktuar për shqyrtimin e çështjes në fjalë, trupën gjyqësore të përbërë nga gjyqtarët Dhimitër Lara (kryesues), Nertina Kosova (anëtare) dhe Florjan Kalaja (anëtar).
Ishte, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ajo që sekuestroi pasuritë e Ervis Martinajt, i cili është shpallur i zhdukur që prej gjashtë muajve.
Operacioni është përqendruar në Lezhë dhe Fushë Kuqe, zonë ku ndodhen familjarët e tij.
Bëhet fjalë për 34 pasuri në total, në zotërim të Martinajt dhe familjarëve të tij.
Përfshihen disa makina, lokale, kompani, apartamente, kazino, toka dhe llogari bankare të fëmijëve.



