
Forcat Speciale RENEA kanë zhvilluar këtë të enjte kontrolle në zonat malore të Pukës, për të bërë të mundur zbulimin e parcelave të mbjella me kanabis. Sipas informacioneve nga policia, gjatë monitorimit të tyre është zbuluar një parcelë me kanabis, e mbjellë në një terren mjaft të vështirë në zonën e Gjegjanit të rrethit të Pukës.
Për shkak të terrenit malor të thepisur dhe të pyllëzuar, forcave RENEA u është dashur që të zbresin në zonë me litarë nga helikopteri dhe më pas të kalojnë nëpër shkurre për të mbërritur në parcelën e zbuluar. Tek kjo e fundit ishin kultivuar bimët kanabis në tokë dhe në kubikë. Pas asgjësimit të parcelës policia vijon veprimet për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.



