Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Grupi”, duke goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i përfshirë në krime kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit u bë i mundur arrestimi i 6 shtetasve, mes tyre 2 të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar.
Ndër të arrestuarit është edhe autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të ndodhur para dy ditësh në Vlorë.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë (Njësia Fier), si dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Si rezultat i ndërhyrjes në një lokal në fshatin Vranisht, u arrestuan në flagrancë shtetasit F. Sh. (A.), 52 vjeç; N. D. (Q.), 50 vjeç; M. B., 35 vjeç; dhe A. D., alias A. Th., alias I. D., 51 vjeç, ky i fundit i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia.
Ai është dënuar në vitin 2024 nga Gjykata e Apelit në Lecce me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.
Gjithashtu, në të njëjtin ambient u kapën edhe shtetasit T. A., 55 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes së ndodhur më 7 qershor 2026, si dhe D. Ç., 48 vjeç, të dy në kërkim kombëtar. Ata dyshohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë operacionit u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, 7 celularë, 1850 euro dhe 3 automjete, dy prej tyre me targa të huaja, ndërsa njëri i blinduar.
Nga hetimet paraprake rezulton se një automjet tip “BMË X5” i sekuestruar është përdorur nga shtetasi T. A. për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes së shtetasit F. L., 26 vjeç.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



