Gazetari Besmir Pula, thotë se autori i aksidentit tragjik në Durrës, Nikoll Radaçi 57 vjeç, është gjobitur tre herë nga policia dhe se në momentin që përplasi të miturit në Durrës, dy prej të cilëve iu shkaktoi vdekjen dhe një tjetër u plagos, ishte nën ndikimin e alkoolit.
Nga studio e “MCN Live”, ai deklaroi se 57-vjeçari rezultoi se e drejtonte mjetin nën efektin e alkoolit.
Zotëria është gjobitur tre herë, dy herë për tejkalim shpejtësie, ku në një rast ka patur dhe pezullim të lejes së drejtimit dhe shkelja e tretë për parakalim të gabuar, që shpesh bëhen burim aksidentesh.
Pas aksidentit u largua nga detyra drejtori i Policisë Durrës, Afrim Tafaj, i cili është larguar dhe zëvendësuar nga Ervin Hodaj dhe janë larguar nga detyra për performancë të dobët zëvendësdrejtori për Rendin dhe Sigurinë Durrës, Zija Sulaj dhe shefi i Policisë Rrugore Durrës, Kreshnik Skëndo.
Nuk mjafton lëvizja e drejtuesve të policisë për të frenuar fenomenin, gjithçka duhet të nisë te polici i zonës. Nëse polici i zonës ka hartuar planin e tij se ky person është me precedentë dhe nuk janë marrë masa, atëherë përgjegjësia i bie drejtuesve.
Nuk mendoj se detyrimisht një heqje patente do të parandalonte aksidentet. Norma e alkoolit ka dalë shumë e lartë në momentin e parë 0.73 miligramë për litër dhe në testin e dytë ka dalë 0.70 miligramë për litër.
Është marrë mostra për ti bërë test serologjik të gjakut, pasi ky test është më i saktë. Dyshohet shpejtësi mbi normat e lejuara, por shifra nuk ka dalë ende.
Ndër të tjera Pula tha se në vitin 2025 ka pasur 200 të vdekur, edhe pse ka pasur ulje të numrit të aksidenteve, ka pasur më shumë fatalitete dhe të plagosur.
Sipas tij, edhe shifrat për tre muajt e parë të 2026, ka pasur 282 aksidente me 391 persona të përfshirë.
Radaçi akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” në gjendje të dehur dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.



