
Katër punonjës të Policisë Rrugore të Vlorës, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion, pasi falsifikonin të dhënat e radarit dhe vinin gjoba padrejtësisht, janë pezulluar nga detyra.
Drejtoria Rajonale e AMP Vlorë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masat e sigurimit ndaj 5 punonjësve të policisë në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë.
Punonjësit e policisë rrugore Medin Çanaj, Armir Xhafaj, Renols Mataj, Taulant Kasa, Endri Kasaj, janë pezulluar nga detyra ditën e sotme, dhe është vendosur detyrim paraqitje ndaj tyre.
Nga hetimi i kryer në kuadër të këtij procedimi penal është arritur të dokumentohet me prova ligjore se këta shtetas, në disa raste të ndryshme kanë marrë shuma parash për të mos evidentuar shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor nga qytetarët, duke mos u vënë masë administrative, me qëllim përfitimin e shumave të parave, si edhe kanë falsifikuar të dhënat e fiksuara nga radari në kundërshtim me ligjin, duke sjellë si pasojë dëm të konsiderueshëm ekonomik dhe cënimin e interesave të ligjshëm të shtetit.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.



