
Policia e Shkodrës ka arritur të arrestojë Ndoc Maçajn, të dyshuarin kryesor për vrasjen e kushëririt të tij, Piro Prronit, në fshatin Abat të Shalës në Shkodër.
Arrestimi u realizua disa orë pas ngjarjes, ndërsa Ndoc Maçaj ishte fshehur në të njëjtën zonë dhe i cili mësohet se është vetë dorëzuar.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00, ndërsa shkak dyshohet një konflikt i hershëm mes autorit dhe viktimës për prona.
Mësohet se viktima jetonte në Tirane dhe merrej kryesisht me bagëti e së fundmi ishte rikthyer ne fshatin Abat për shkak te regjistrimit të pronave që po bëhen aktualisht në zonën e Dukagjinit. Mësohet se mes viktimës dhe autorit të dyshuar prej kohësh kishte një konflikt të hershëm. Nga ana tjetër mësohet se një ditë më parë viktima Piro Prroi me kushëririn e tij, Ndoc Maçaj ishin konfliktuar me njëri tjetrin.
Burime nga zona bëjnë me dije se përplasja mes tyre është acaruar së fundmi pas nisjes së procedurave për matjen e tokave motiv i cili duket se ka qenë edhe shkaku që e çoi konfliktin në tragjedi me humbjen e jetës së 61 vjeçarit.
Ndoc Maçaj 58 vjeç, akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ky dyshohet se dje, në fshatin Abat, Shalë, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, shtetasin Piro Prroni 61 vjeç, banues në fshatin Abat. Shërbimet e Policisë kanë gjetur në vendin e ngjarjes dhe kanë sekuestruar dy gëzhoja pistolete dhe 2 mjete prerëse (thikë dhe kmesë). Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



