
Gjykata e Elbasanit ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg” për Xhino Agon dhe Kujtim Pishën, të arrestuar për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla.
Xhino Ago, ish-ortak i viktimës, akuzohet për veprën penale vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim, ndërsa Kujtim Pisha, roja i karburantit ku ndodhi krimi, akuzohet për moskallëzim krimi.
Gjatë seancës me dyer të mbyllura e cila zgjati më shumë se dy orë, palët u njohën me aktet dhe me dëshmitë e personave të marrë në pyetje, ndërkohë që kanë mohuar akuzat.
Pavarësisht deklaratave të familjarëve të viktimës, të cilët kanë nënshkruar se nuk kanë dyshime ndaj tyre, gjyqtari Elis Dine nuk ka pranuar kërkesën për një masë më të lehtë sigurie.
Sipas burimeve nga seanca, Ago ish-ortak i Mëhallës paraqiti deklaratë të firmosur nga motra dhe vëllai i viktimës, ndërsa Pisha nga kunati i Mëhallës, i cili është edhe menaxher i karburantit “Xhaxhi Oil”.
Avokati i Kujtim Pishës ka pretenduar gjithashtu, se klienti tij ka qenë duke konsumuar darkën në momentin që ka ndodhur atentatit, duke e provuar mungesën e tij me pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë.
Ndërkohë, i arrestuari i tretë, Nevzat Spaho pritet të dalë këtë fundjavë para gjykatës për masën e sigurisë, ndërsa Marselo Arani dhe Armando Kola vijojnë të jenë ende në kërkim.
Burime jo zyrtare bëjnë me dije se midis Mëhallës dhe Agos ka pasur konflikte të vazhdueshme për ndarjen e fitimeve të biznesit, çka dyshohet se ka qenë edhe shkaku i vrasjes.



