Një i ri shqiptar është arrestuar këtë të hëne në Rimni të Italisë, pasi ka thirrur “ISIS” dhe ka sulmuar disa policë.
Ai është i moshës 21-vjecare dhe mbi të rëndojnë akuzat: Kundërshtim dhe dëmtim të punonjësve të Policisë.
I riu ka thirrur ‘ISIS’, teksa shtrëngonte në dorë një medalje me një mbishkrim në gjuhën arabe, dhe ka kërcënuar karabinierët të cilët sapo i kishin kërkuar dokumentet e identifikimit.
Shqiptari e ka habitur policinë italiane në oborrin e banesës së një miku të tij që ndodhej në arrest shtëpie.
Në fakt, 21 vjeçari shqiptar kishte shkuar tek banesa e mikut të tij për të rregulluar biçikletën pa e ditur se miku në arrest shtëpie nuk mund të priste vizita.
Kur policia e pyeti shqiptarin se ç’donte në shtëpinë e djalit në arrest shtëpie, i riu filloi të fliste përçart kundër efektivëve duke përmendur ISIS dhe duke folur në arabisht.
“Do ju vras të gjithëve!”, mësohet se ka thënë shqiptari.
Pastaj ai sulmoi policët me një çelës anglez. Shqiptari, emri i të cilit nuk bëhet me dije, është në pritje të gjykimit, që do të jepet më 28 shtator, por deri atëherë ai është lënë në burg.



