
Forcat e policisë kanë ndërhyrë masivisht për të shpërndarë protestuesit përpara Ministrisë së Arsimit dhe në akset lidhëse, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion me intensitet të lartë.
Përleshjet janë zhvendosur edhe në nyjat kryesore të qarkullimit, ku të rinjtë kanë tentuar të bllokojnë lëvizjen përmes barrikadave të improvizuara.
Në hyrje të Rrugës së Durrësit, siç raporton gazetarja Marina Sulollari, protestuesit kishin krijuar një barrikadë me kosha mbeturinash për të ndaluar mjetet e policisë.
Forcat e rendit kanë ndërhyrë me autobotet e ujit dhe një numër të madh efektivësh të pajisur me maska kundragaz për të shkatërruar barrikadën dhe për të zmbrapsur të rinjtë.
Ndërhyrja, është shtrirë edhe te Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku policia ka bllokuar plotësisht kryqëzimin qendror për të parandaluar marshimin e paralajmëruar të studentëve drejt Kryeministrisë.



