Tre persona janë vënë në prangat e policisë pasi janë kapur duke transportuar me 2 automjete, mallra ushqimore të kontrabanduara përmes Pikës Doganore Goricë. Gjithashtu është proceduar penalisht dhe një punonjës i Policisë Kufitare Goricë.
Specialistët e strukturave hetimore të DVP Korçë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Skip", si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit Olsi Çaushi, 48 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq; Rodol Orhan, 56 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq dhe Engjëllush Çollaku, 62 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, me detyrë doganier në Pikën Doganore Goricë.
Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor "Pustec-Korçë", pranë vendit të quajtur "Qafa e Zvezdës", kanë ndaluar 2 automjete me drejtues shtetasit O. Ç. R. O., në të cilat, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan mallra të ndryshme ushqimore, pa dokumentacionin përkatës.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin kaluar këto mallra nëpërmjet Pikës Doganore Goricë, pa kryer veprimet përkatëse.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi E. Ç., me detyrë doganier në këtë pikë doganore, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Korçë referoi materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin P. B., 55 vjeç, banues në Korçë, me detyrë përgjegjës turni pranë Pikës së Kalimit Kufitar Goricë, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar shtetasit O. Ç. dhe R. O., për të kaluar mallrat, në mënyrë të kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.



