
Merr një kthesë të re çështja e operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ku në një magazinë në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, u zbuluan rreth 4 mijë bimë kanabisi të kultivuara në ambiente të mbyllura me anë të llambave.
Burime bëjnë me dije se Bilal Hasa është vetëparaqitur në polici për të dhënë sqarime lidhur me ngjarjen, pasi emri i tij u përfshi në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit, si pronar i objektit ku u gjet lënda narkotike.
Sipas të njëjtave burime, Hasa ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë.
Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.
Ndërkohë, një burim zyrtar policor ka bërë me dije se po hetohet edhe pista që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike në objekt mund të jetë kryer nga vëllai i tij, i cili jeton në fshat.
Gjithsesi vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje.
Në ambientet e magazinës u sekuestruan rreth 4 mijë bimë kanabisi, si dhe pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë.



