Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e Skelës në Vlorë, ku një kamarier është sulmuar gjatë orarit të punës, në prani të klientëve vendas dhe të huaj, nga një ish-polic i Vlorës dhe një person me të kaluar kriminale.
Sipas burimeve dhe pamjeve filmike nga vendngjarja, Ardian Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor të Vlorës, së bashku me Leart Bimon, një person me precedent të rëndë penal, kanë ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj një kamarieri të ri, vetëm për shkak të një gabimi të vogël në porosi. Kamarieri kishte çuar në tavolinë një shishe uji më shumë se sa ishte porositur.
Dëshmitarët tregojnë se Isufi është afruar kërcënueshëm pranë kamarierit dhe ka pasur kontakt fizik me të. Më pas, Leart Bimo ka ushtruar dhunë fizike ndaj të riut, duke e goditur disa herë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e tij.
Dhuna është kryer në prani të klientëve të tmerruar, të cilët janë larguar menjëherë nga lokali, duke lënë ambientet bosh.
Kjo ngjarje ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm nga qytetarët dhe shoqëria, për shkak të natyrës së rëndë të sulmit.



