
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Shkodër. Policia njofton se është arrestuar 20-vjeçari G.M., dhe 24-vjeçari Isak Mehmetaj, pasi fshehën dhe tjetërsuan të vërtetën.
Fillimisht 24-vjeçari deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri nga disa persona të paidentifikuar, por nga hetimet rezultoi se Isak Mehmedaj 24 vjeç, banues në fshatin Mushan Shkodër, është vetëplagosur në mënyrë aksidentale, me armë zjarri në bark.
Mehmedaj dhe G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale.
Në përfundim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë shtetasi Isak Mehmedaj 24 vjeç, banues ne fshatin Mushan Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës", e kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë dhe shtetasi G. M., 20 vjeç, banues në fshatin Mushan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.



