Dy ton kokainë, me një vlerë tregu mbi 400 milionë euro, janë kapur në brigjet e Siçilisë nga Guardia di Finanza. Forcat detare dhe ato ajrore koordinuan operacionin e përbashkët që çoi në sekuestrimin e sasisë rekord, ndër më të mëdhatë në vend.
Droga ishte e paketuar në mënyrë të posaçme, për të shmangur depërtimin dhe fundosjen në ujë, në rreth 70 pako të mëdha. Trafikantët kishin vënë gjithashtu edhe sinjalizues me dritë për t’i dalluar pakot e lidhura me rrjetë me njëra- tjetrën. Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.
Sipas autoriteteve italiane, ngarkesa duhet të jetë hedhur në det të hapur nga ndonjë anije mallrash që kaluar aty afër dhe më pas do të merrej nga trafikantët për t’u transportuar në Itali dhe më gjerë nëpër Evropë.




