
Një operacion i policisë së Kavajës i koduar “Repeat”, ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim një, të dy përsëritës për vjedhje, ndërkohë që janë zbardhur 10 raste të vjedhjeve të ndryshme.
Gjatë operacionit policor të koduar “Repeat”, u arrestua për veprën penale “Vjedhja”, shtetasi A. S., 27 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. B., 27 vjeç, të dy banues në Kavajë, të dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, gjatë muajve mars dhe prill, kanë kryer 10 vjedhje të ndryshme. Ata dyshohet se kanë vjedhur tre biçikleta, një motoçikletë, sende të ndryshme në disa banesa dhe në një dyqan.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet, çelësa të ndryshëm, dy aparate celulare, bizhuteri dhe sende të ndryshme të dyshuara të vjedhura, si dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Punohet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas dhe kapjen e shtetasit D. B.



