
Nëntë punonjës të administratës shtetërore janë larguar nga puna pas kontrolleve të ushtruara nga Task Forca Antikorrupsion. Në një dalje për mediat në mesditë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se nga kontrollet e kryera në disa institucione qendrore dhe degët e tyre janë rekomanduar 60 masa disiplinore, 9 prej tyre largime nga puna dhe 8 kallëzime penale.
“Task-forca Antikorrupsion ka vijuar verifikimin e denoncimit të qytetarëve dhe kontrollin e ligjshmërisë në shërbimin për qytetarët. Ka ushtruar kontroll në disa institucione qendrore dhe degët e tyre. Bazuar në raportet e inspektimeve të Task-Forcës Antikorrupsion janë rekomanduar gjithësej 60 masa disiplinore dhe 8 kallëzime penale për drejtues,ish-drejtues dhe punonjës të niveleve të ndryshme të administratës shtetërore. Institucionet përgjegjëse kanë zbatuar rekomandimet duke marrë 60 masa displinore, 9 prej tyre largime nga puna”, tha Gjonaj.



