
Një person është vendosur nën hetim në vijim të gjetjes së disa granatave dhe të një sasie municioni luftarak, më 27 dhjetor në një banesë në fshatin Çekrezë.
Policia informon se në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit Sh. Ç., 51 vjeç, pasi në banesën në pronësi të tij, e cila është e pabanuar prej disa vitesh, janë gjetur 94 granata dore, 880 fishekë, 20 ndezës granatash dhe 11 karikatorë automatiku.
Nga specialistët e Batalionit të Xhenios të Ministrisë së Mbrojtjes janë asgjësuar lëndët plasëse, ndërsa pjesa tjetër e municionit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.



