
15 shtatori shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Kjo datë është përcaktuar në vitin 2007, me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila inkurajon qeveritë që të forcojnë programet kombëtare për promovimin dhe konsolidimin e demokracisë.
Qëllimi i shënimit të kësaj dite është promovimi i rolit të demokracisë së hapur midis të gjitha vendeve anëtare të OKB -së dhe të festojë sistemin e vlerave që promovon demokracia, duke u dhënë qytetarëve fuqinë për të marrë vendime në lidhje me të gjitha aspektet e jetës së tyre.
Tema e këtij viti është “Fuqizimi i gjeneratës së ardhshme” dhe fokusohet në rolin thelbësor të të rinjve në përparimin e demokracisë dhe garancitë që të kenë zë në vendimmarrje.
Dita Ndërkombëtare e Demokracisë ofron një mundësi për të rishikuar gjendjen e demokracisë në botë, ku megjithë sanksionimin në ligj, liria e shprehjes kufizohet nga shume qeveri përqark globit.



