Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Lushnjës pasi akuzohen për vjedhjen e dy bizneseve dhe një banese.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas njoftimit të marrë se në orët e para të mëngjesit ishin vjedhur 2 biznese dhe 1 banesë në Lushnjë, menjëherë organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Trio”.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale arrestuan në flagrancë shtetasit Niko Zaimi, 36 vjeç, (i dënuar më parë për vjedhje), Erion Kondi, 40 vjeç dhe Klaudjo Myrtja, 27 vjeç, të tre banues në Fier.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, gjatë orëve të para të mëngjesit në lagjen "Kadri Qystri" kanë vjedhur biznesin në pronësi të shtetasit D. Sh., në lagjen "Loni Dhamo" kanë vjedhur banesën e shtetases N. K. dhe në lagjen "Kadri Qystri" kanë tentuar të vjedhin biznesin në pronësi të shtetasit A. S.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se gjatë muajit maj dhe gusht, këta shtetas kanë vjedhur sende me vlerë, shuma parash dhe orendi shtëpiake në 3 banesa, konkretisht në datën 11.05.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit J. P., në datë 10.08.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit E. E., dhe në datë 12.08.2021 kanë vjedhur banesën e shtetasit A. H.
Gjatë operacionit, Policia ka bërë sekuestrimin e shumës prej 3830 euro, 40 paund, 125.200 lekë të rinj, disa bizhuteri, 3 aparate celularë, paisje që përdoreshin nga autorët për të kryer vjedhjet si dhe automjeti i cili gjithashtu përdorej nga këta shtetas për të kryer vjedhjet.
Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të kryera nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.



