
Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 5.6 vite burg Ervis Martinajn. Por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi uljen e 1/3-ës së dënimit duke u dënuar përfundimisht nga Shkalla e Parë me 3.8 vite burg.
Pas ngjarjes së ish-Bllokut tre vite më parë ku mbeti i vrarë një person dhe u plagoson dy të tjerë mes të cilëve dhe vet Martinaj, institucioni i akuzës ngriti ndaj tij katër akuza.
Ervis Martinaj u gjykua nga togat e zeza të kryeqytetit për akuzat e "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për vrasje", "Fshehja e të ardhurave", "Falsifikim i pasaportave, kartave të indentitetit, vizave", si edhe " Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin".
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 4 tetorit 2018 në një lokal në ish-Bllok ku gjatë një përplasjeje me armë mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe Elion Hato. Për vrasjen e Gaxhës është akuzuar ish-komandoja Meviol Billo, i cili është ende në arrati.



