
Zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës, mëngjesin e sotëm janë sulmuar sërish në veriun e vendit.
Në njoftimin zyrtarë të Policisë së Kosovës, mes tjerash thuhet se rreth orës 03:10 minuta në Sharpej të Jarinjës kanë ndodhur dy shpërthime që dyshohet të jenë nga mjetet piroteknike.
Marrë për bazë njoftimin zyrtarë, thuhet se sulmi është organizuar nga territori i Serbisë.
Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar e as dëme materiale.
“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.
Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë
Në njoftim thuhet se Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë.
Ky është sulmi i pestë ndaj policisë brenda katër ditësh.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi dje se zyrtarët kufitarë të Policisë së Kosovës janë sulmuar në veri të vendit, derisa po bënin ndërrimin.



