
Autori i aksidentit të ndodhur sot te Rruga e Kavajës rezulton një shkelës serial i rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas policisë, 39-vjeçari Ajas Sulejmeni është ndëshkuar 8 herë nga efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.
Po ashtu, sipas policisë, ai është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.
Pas kryerjes së testit të drogës, ka rezultuar se ai e drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Aksidenti në fjalë ndodhi sot në Tiranë, në Rrugën e Kavajës, pranë një kompleksi banimi në zonën e ish-parkut të autobusëve.
Një mjet tip "Benz", i drejtuar prej tij, ka përplasur shtetasit V. K., 43 vjeçe, A. K., 48 vjeç dhe fëmijën e tyre të mitur 3 muajsh, të cilët si pasojë janë dëmtuar dhe ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.



