“By pass” u kodua një operacion i policisë së Shkodrës gjatë të cilit u arrestua në flagrancë një 28-vjeçar që u kap duke transportuar katër emigrantë, të cilët kundrejt pagesës 1500 euro për person, synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin me Malin e Zi.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Në afërsi të rrethrrotullimit “5 Heronjtë e Vigut”, efektivët e policisë kanë lokalizuar 28-vjeçarin duke drejtuar, pa leje drejtimi, një automjet tip “Audi”, me të cilin po transportonte katër emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se 28-vjeçari i arrestuar iu kishte premtuar transportimin nga Gjirokastra në drejtim të kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës 1500 euro për person, 4 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për 4 emigrantët, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.



