Janë publikuar pamjet nga momenti i sulmit ndaj drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Shkodër, Ramir Haderi, i cili u dhunua nga një person i maskuar mbrëmjen e 21 majit.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Fahri Ramadani”, teksa Haderi po lëvizte i vetëm në drejtim të banesës së tij. Sipas pamjeve, autori dyshohet se kishte dijeni për lëvizjet e tij dhe po e priste i fshehur pas një muri, me një send të fortë në dorë.
Në momentin që Haderi është afruar, autori i është vërsulur dhe e ka goditur disa herë në kokë dhe në trup, duke e rrëzuar në tokë. Pas sulmit, personi është larguar me shpejtësi në rrugicat e zonës.
Si pasojë e dhunës, drejtori i AKU-së ka pësuar dëmtime në pjesën e kokës, përfshirë çarje në zonën e vetullës. Ai u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku mori ndihmë mjekësore dhe iu nënshtrua kontrolleve të mëtejshme.
Autori deri më tani nuk është identifikuar, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e agresorit dhe motiveve të sulmit.



