Një operacion policor është zhvilluar një ditë më parë për arrestimin e Ylli Zallës në Fushë-Krujë, por i shpalluri në kërkim ka arritur t’i shpëtojë efektivëve.
Gazetari Besmir Pula, në një lidhje për “MCN Live”, bëri të ditur se policia kishte siguruar informacione mbi vendndodhjen e tij në zonën e Zallës, por nuk mundi ta vinte në pranga.
Zalla ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pasi iu zbulua një arsenal i madh armësh. Emri i tij doli sërish në skenë më 20 shkurt, kur policia zbuloi një tjetër arsenal në fshatin Zall, i cili dyshohet se i përkiste 49-vjeçarit.
Gjatë operacionit të asaj date, u sekuestruan 24 kallëpe tritoli, 11 granata dore sulmuese, lëndë plasëse të gatshme për shpërthim të pajisura me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4 dhe 11 kallëpë dinamiti.
Ylli Zalla po hetohet gjithashtu për lidhje të mundshme me atentatin e ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe ish-efektivi i AMP-së, Muçi Shaljani.
Sipas dyshimeve, automjeti tip “Toyota” i përdorur nga autorët e atentatit dyshohet se ka dalë nga banesa e tij.
Nga verifikimet rezulton se rreth 12 vite më parë, Zalla është arrestuar për prodhim bombash artizanale, si dhe është hetuar për përfshirje në prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Në atë kohë, ai dyshohej edhe për lidhje me grupe ekstremiste për rekrutimin e personave për luftëra jashtë vendit.
Pavarësisht disa tentativave të policisë, ai ka mundur të largohet, duke i shpëtuar arrestimit.
Arrestimi i tij konsiderohet me rëndësi, pasi dyshohet se mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale, për shkak të arsenalit të armëve dhe lidhjeve të mundshme që ai mund të ketë.



