
Policia e Pogradecit ka njoftuar arrestimin e dy personave të cilët janë kapur me një sasi lënde drusore të prerë ilegalisht nga zona e mbrojtur e pyjeve të fshatit Peshkëpi.
Në pranga ka rënë shtetasi Renato Kadilli, 39 vjeç dhe Sali Shuli, 42 vjeç, të dy banues në Pogradec.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin R. K. dhe pasagjer shtetasin S. Sh., dhe gjatë kontrollit të ushtruar në të, kanë gjetur një sasi lënde drusore e dyshuar e prerë nga këta 2 shtetas, në kundërshtim me ligjin, në zonën e mbrojtur të pyjeve të fshatit Peshkëpi.
Në vijim të kontrolleve për këtë rast, në një parcelë të kësaj zone të mbrojtur, u gjet dhe një sasi tjetër lënde drusore, e prerë në kundërshtim me ligjin, nga po këta dy shtetas.
Lënda drusore, së bashku me automjetin me të cilin po transportohej dhe një motorsharrë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.




