Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi është kapur duke transportuar ilegalisht 14 emigrantë të paligjshëm kundrejt përfitimit të parave.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 15”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 19 vjeç, banues në Morinë. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A. I., 18 vjeç.
Shtetasi E. K. është kapur në flagrancë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Vorë, duke transportuar me një automjet, 14 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga kufiri grek në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se i implikuar në këtë veprimtari kriminale është dhe shtetasi A. I. Vijon puna për kapjen e tij. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 14 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.



