
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka zhvilluar një takim me drejtuesit e Burgjeve, për të diskutuar problematikat e sektorit.
Ai thotë se nëse Ministrinë e Drejtësisë do e shihte si një piramidë, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve do ta vendoste si themel dhe gurët e bazës së saj.
Prandaj vëmendjen, prioritetet, por edhe kërkesën e llogarisë e kam disa fish më të lartë. Sot u përballa sy më sy me të gjithë drejtorët e IEVP, së bashku me shefat e policisë përkatëse, në një analizë të gjerë, të thellë dhe me shumë fakte edhe në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe Drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Manja bën të ditur se tërhoqi vëmendje për tre çështje dhe së pari për probleme të trashëguara, por në disa raste vërejti se problemi janë vetë drejtuesit dhe marrëdhëniet mes tyre.
Së dyti rishikimin urgjent të udhëzimeve, apo akteve të shumë e shumë viteve përpara, të cilat bien ndesh me vizionin, për të cilin thotë se urdhëroi ngritjen e një grupi pune për të punuar për kuadrin rregullator nënligjor dhe çdo akt të shihet në kuadër të rregullores së re.
Si vërejtje të tretë Manja nënvizoi që çdo gradim apo emërim nuk duhet të kalojë asnjë shkallë pa filtrin e pastërtisë së figurës.
Lidhur me këto vërejtje paralajmëroi:
- Kallëzime penale të zinxhirit drejtues, deri tek abuzuesit, për punonjësit që kanë neglizhuar kryerjen e detyrës pa arsye dhe janë lejuar për këtë.
- Mbylljen e objekteve që shesin pranë IEVP, duke nisur shumë shpejt zbatimin e strategjisë si në të gjitha vendet perëndimore. Projekti pilot nis në tre ose katër IEVP menjëherë dhe më pas shtrihet në të gjitha IEVP.
- Marrëdhëniet nepotike, komunikimin jo vetëm mes stafit, por edhe staf-persona në konflikt me ligjin, kujdesin e shtuar dhe rregullin për takimet pas heqjes së kufizimeve anti-covid, menaxhimin e banorëve të IEVP nëpërmjet fjalës e jo mjeteve shtrënguese.
Ndër të tjera ministri i Drejtësisë thotë se premtoi verifikimin në çdo IEVP personalisht të të gjitha ankesave të ardhura nga vetë të dënuarit në celularin e tij, duke nisur me pyetjen e parë se ku e kanë gjetur celularin për komunikim.
Po ashtu thotë se premtoi masterplanin e sistemit duke shkuar drejt mbylljes së disa IEVP dhe krijimit të strukturave të mëdha në përshtatje edhe me hartën e re gjyqësore, si dhe rikonceptimin e menaxhimit të burimeve njerëzore edhe në bazë të qendrave të banimit.
Manja thotë se dha afat për:
- Zgjidhjen e problemit të uniformave, trajtimit financiar dhe trajtimit ushqimor për stafin.
- Ngritjen e një policie burgjesh model, bazuar në sistemin e karrierës dhe gradave.
- Trajtimin me prioritet maksimal të punësimit në IEVP në bashkëpunim me sistemin privat.



