
Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ në MCN TV e quajti Shqipërinë narko-shtet pasi në çdo hetim kemi një grup kriminelësh, zyrtarë të lartë dhe emra politikanësh të përfshuirë.
Ndërsa lidhur me ndërtimin e kullave të Tiranës u shpreh se ka raste kur janë nënkontraktorë me administratorë të dënuar për trafik droge dhe se autoritetet kanë mbyllur sytë përpara kateve pa leje në qendër të Sheshit “Skënderbej”.

Jemi narko-shtet dhe e kam thënë dhe vite më parë dhe këtë e tregojnë hetimet që po kryhen ku në çdo hetim kemi një grup kriminelësh dhe zyrtarë të lartë dhe emra politikanësh. Nuk kemi ashpërsinë e Meksikës sepse s’kemi popullsinë e tyre por në raport me mënyrën se si funksionojnë institucionet, po kemi narko-shtet.
Problemi është se ne kemi në çdo operacion të fundit të SPAK që na rezulton nga një zyrtar i përfshirë në këto grupe kriminale. Pse nuk jemi narko-shtet ne tani kur kemi kaluar nga kanabisi te kokaina. Në Shqipëri kemi thjeshtë një kryeministër që është i plotfuqishëm, i gjithë pushteti i përqendruar në dorën e Edi Ramës përfshirë dhe ne median, dhe problemi është se të gjitha këto detaje dhe nuanca na vendosin te një narko-shtet.
Sa u përket kullave, duhet të ketë vullnet nga institucionet e drejtësisë për të hetuar. Kompanitë marrin leje ndërtimi dhe ka leje të rritura në mënyrë eksponenciale, pa fund leje ndërtimi. Papritmas sheh në mes të Tiranës, dhjetë kate pa leje. Institucionet nuk janë asgjëkundi.
Mu në Sheshin “Skënderbej” ngrihen shumë kate pa leje. Zyrtarët mbyllin sytë dhe nuk shohin që në kullën “Syri i Tiranës” janë shumë kate pa leje. Të gjithë kanë heshtur. Mjafton që një prokuror ta çelë këtë hetim, se kush janë zyrtarët që e kanë lejuar. Ka raste kur janë nënkontraktorë me administratorë të dënuar për trafik drogë.



