Transportonin me kamion, me qëllim shitjen, mallra të dyshuara të kontrabanduara, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga dy persona, si dhe sekuestrohen mallra të kontrabanduara, me vlerë 30 000 euro, ndërsa dy punonjës të doganës Kakavijë janë shpallu në kërkim.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, si rezultat dhe i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se dy shtetas kishin kontrabanduar nga shteti grek në vendin tonë, me kamion, sasi të konsiderueshme mallrash, organizuan dhe finalizuan, operacionin policor të koduar “Tranzit 2”.
Si rezultat i këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit O. Gj., 35 vjeç, dhe R. S., 47 vjeç, banues në Vlorë.
Këta dy shtetas u kapën në flagrancë, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Nartës”, teksa transportonin me kamion, me qëllim shitjen, mallra të ndryshme, të pa pajisura me faturat tatimore apo me deklaratat e origjinave, me vlerë 30 000 euro.
Mallrat dyshohet se janë kontrabanduar nga Greqia në vendin tonë, duke kaluar nga pika doganore e PKK Kakavijë, pa kryer procedurat e zhdoganimit.
Mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me kamionin.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë shpallja në kërkim për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, e shtetasve I. H., 40 vjeç dhe A. S., 38 vjeç, të dy me detyrë doganier në PKK Kakavijë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.



