Policia e Lezhës deklaron se është zbardhur ngjarja e ndodhur një ditë më parë në Fan të Mirditës, ku u raportuan të shtëna me armë zjarri.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, pas marrjes së njoftimit për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Mirditë, ku shtetasi G. Gj., dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin P. P. ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar veprimet hetimore intensive, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve hetimore janë arrestuar në flagrancë shtetasit G. Gj., 28 vjeç, banues në Mirditë dhe P. P., 39 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Arrestimi i tyre është bërë pasi gjatë konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur ditën e djeshme, shtetasi G. Gj., dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri për të kanosur shtetasin P. P.
Më pas, shtetasi P. P., dyshohet se ka shkuar në banesën e shtetasit G. Gj., dhe ka kanosur familjarët e tij, me armë zjarri.
Aktualisht vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armëve të zjarrit që posedonin dy të arrestuarit, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë Lezhë për ndjekje të mëtejshme.



