Bashkëthemeluesi i NEURA Ergys Malo foli në “FactCheck” mbi aspektet teknike të ministres së re që operon me AI, Diella. Ai theksoi se është e rëndësishme që të dhënat të jenë brenda territorit shqiptar, duke shtuar se nëse po përdoret Chatgtp apo Microsoft, të dhënat janë jashtë Shqipërisë. Sipas Malos Diella është më tepër asistente se sa ministre. Ai tha se Diella s'mund të bëjë veprime të pavarura, apo të dalë jashtë kontrollit, pasi ende në botë s'ekziston në botë një model i tillë.
“Nëse ne do ta kishim ndërtuar Diellën, gjëja bazë duhet të jetë një model gjuhësor që duhet trajnuar me të dhëna shumë të strukturuara, shumë të sakta, në mënyrë që të përthithë të gjitha informacionet. Më pas janë modelet e tjera, që janë të afta të kthejnë përgjigje me zë, të kuptojnë zërin kur flet. Aktualisht s’ka informacion të saktë si është ndërtuar. Mund të presupozojmë që po përdorin Open AI, chatgtp. Sa i përket zërit, me sa kuptojmë po marrin një shërbim nga Microsoft. E folura s’është aq natyrale. Sistemi përbëhet nga shumë servera dhe karta grafike, që janë të nevojshme për të procesuar informacione”.
I pyetur si veprohet në rast të një defekti, Malo tha: “Po prezumojmë sikur është e ndërtuar me Chatgtp. Në rast të një defekti, janë ata përgjegjës për pjesën e defekteve. Defektët janë motorët që e bëjnë Diellën të punojë. Më e rëndësishmja është që të jenë brenda territorit shqiptar. Pasi nëse përdorin Chatgtp, Microsoft-in, të dhënat s’janë brenda territorit shqiptar”.
I pyetur a mund të jetë fizikisht, Malo tha: “Fizikisht është e pamundur, pasi është thjesht sistem. Fizikisht ekziston brenda një serveri”. I pyetur a e kanë kompanitë e huaja pasword-in e Diellës, Malo tha: “Nëse po përdoren Open AI, Chatgtp, s’jemi ne të vetmit që e kemi, por edhe ata e kanë pasi janë ofruesit e shërbimeve. Modelet që fuqizojnë Diellën mund të sulmohen”.
I pyetur a është e hakerueshme Diella, Malo tha: “Po sigurisht. Është sistem, janë të dhëna. Funksionon njësoj siç funksionon një aplikacion. Ka hapësira për ta sulmuar”.



