Një nga autorët e dyshuar të grabitjes spektakolare në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Aleks Pepa, 42-vjeç, dyshohet si një nga autorët e grabitjes së mbi 1 milion eurove në ambientet e brendshme të aeroportit mesditën e 30 qershorit të vitit të shkuar. Sipas faqes së Interpolit, ai rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale të “grabitjes” dhe “krijimit të një grupi të strukturuar kriminal”.
Ka dyshime se 42 vjeçari ka luajtur rolin e shoferiy gjatë grabitjes së paprecedentë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar që ka vendi ynë. Dyshimet ndaj tij kanë lindur pas gjetjes së provave të ADN-së në paruken e gjetur në automjetin e djegur.
Por si ndodhi ngjarja
Tre persona të maskuar dhe të armatosur pasi prenë menteshat e portës të jashtme që ndodhet në krahun e rrugës Rinas- Fushë Krujë kanë hyrë në rrethimin e brendshëm në aeroport. Ashtu sikurse në ngjarje të tjera, jo shumë larg aeroportit u gjet e djegur makina me të cilën grabitësit kishin marrë shumën e konsiderueshme të parave. Ngjarja vazhdon të jetë ende e pazbardhur.



