
Një person i cili lëvizte me armë me vete dhe që tentoi t’i shmanget policisë, është vënë në prangat e bluve të Lezhës, ndërkohë që u proceduan penalisht dy pasagjerët që ndodheshin në makinë me të.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të punës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, si dhe kontrolleve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, falë inteligjencës policore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja”.
Gjatë operacionit, në Lezhë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndaluar për kontroll automjetin tip “Range Rover”, me drejtues shtetasin K. L., dhe pasagjerë shtetasit J. K., e L. K.
Shtetasi K. L., ka ndaluar automjetin dhe ka tentuar të largohet me vrap, duke marrë dhe një çantë dore me vete. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë, duke e kapur dhe ndaluar shtetasin K. L., bashkë me çantën e dorës.
Gjatë kontrollit në çantën e dorës, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me një krehër me 15 fishekë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi K. L., 18 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për 2 pasagjerët në automjet, shtetasit J. K., 25 vjeç dhe L. K., 17 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.



