
600 fishekzjarrë janë sekuestruar sot nga Policia në Tiranë e Kavajë, ndërsa është arrestuar një 19-vjeçar si dhe kanë nisur hetimet për një 57-vjeçare.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në fshatin Luz i Vogël, kanë konstatuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. Sh. Gjatë kontrollit në mjet janë gjetur 2 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë u arrestua në flagrancë shtetasi A. Sh., 19 vjeç, banues në Kavajë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, gjatë kontrollit të territorit, në rrugën "Hamdi Pepa", në magazinën në pronësi të shtetases M. Gj., 57 vjeçe, kanë gjetur 3 kuti me fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u procedua penalisht shtetasja M. Gj., 57 vjeçe, banuese në Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 600 fishekzjarrë me fuqi të lartë shpërthyese.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" dhe "Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë" për veprime të mëtejshme procedurale.



