Gazetari Ferdinand Dervishi thotë se call centerat janë një mekanizëm me të cilin grupet kriminale gjenerojnë të ardhura. Ai theksoi se panorama e këtij aktiviteti nisi të zbulohej pak nga pak falë hetimeve të autoriteteve dhe mediave të vendeve europiane.
Kohët e fundit ne gazetarët po kuptojmë që krimi i organizuar në Shqipëri, që përmes politikës ka lidhje me policinë dhe struktura të tjera, operon në 4 fusha ku ka fitim të madh. Deri tani njihnim kokainën apo drogëra të tjera. Theksonim që grupet kriminale shqiptare janë aq të fuqishme saqë kishin dërguar njerëzit e tyre në Amerikën Latine për ta blerë atë me çmime më të lira. Dinim vetëm këtë skemë. Dinim edhe që në Shqipëri ka lojëra fati në të zezë. Dinim që bëhet shumë lekë, sepse njerëzit e prirë drejt bixhozit hedhin shumë lekë. Në të zezë, lojërat e fatit i ka të gjitha krimi i organizuar. I janë lënë atij. Sigurisht në Shqipëri një vend tjetër ku bëhet lek është buxheti i shtetit, tenderat publikë. Tani po kuptojmë se edhe me call centerat krimi i organizuar bën shumë lekë. Çfarë është call center? Ato funksionojnë me zona njësoj si tregtia e drogës. Këtë zonë e komandon ky, atë tjetrën ai. Ne para një viti kemi mësuar se 2 miliard euro janë vjedhur qytetarëve europianë nga call center me bazë në Shqipëri. U zbulua që policia ishte e implikuar.



