Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar Luc Melajn si drejtues të një grupi kriminal që merrej me kalime të paligjshme të kufirit dhe falsifikim dokumentesh. Pas gjykimit të shkurtuar, ai u shpall fajtor për disa vepra penale, mes tyre organizim i kalimeve të paligjshme, falsifikim pasaportash dhe mbajtje pa leje të municioneve.
Gjykata vendosi fillimisht disa dënime të ndara për Luc Melajn, që në total u bashkuan në 12 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 8 vite burgim. Ai do ta vuajë dënimin në burg të sigurisë së lartë, ndërsa periudha e burgimit llogaritet nga data e arrestimit më 22 korrik 2024.
Dy të pandehurit e tjerë, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj, u dënuan secili me nga 4 vite burg pas uljes së dënimit. Megjithatë, gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg për të dy dhe vendosjen e tyre në provë për 3 vite, me kusht që të mos kryejnë vepra të tjera penale dhe të mbajnë kontakte me shërbimin e provës.
Një pjesë e akuzave për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” ndaj Luc Melajt dhe Gëzim Camajt u pushuan për shkak të ligjit të amnistisë të vitit 2024.
Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e shumave të konsiderueshme të parave, automjeteve dhe telefonave të sekuestruar gjatë hetimit, duke i kaluar ato në favor të shtetit. Ndërkohë, disa dokumente dhe sende personale iu kthyen personave përkatës.
Gjykata e Posaçme urdhëroi konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të të gjitha pasurive dhe sendeve të sekuestruara që lidhen me aktivitetin kriminal të të pandehurve. Mes tyre janë 625 mijë lekë, 8 125 euro, 3 060 dollarë amerikanë dhe 240 dollarë kanadezë të sekuestruara Luc Melajt.
Po ashtu, gjykata vendosi konfiskimin e dy automjeteve në pronësi të tij, një Mercedes Benz dhe një Volkswagen Touran, si dhe një numri të madh telefonash celularë të përdorur nga Luc Melaj, Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj. Gjithashtu u sekuestruan edhe 21 fishekë të kalibrave të ndryshëm të gjetur gjatë kontrolleve.



