
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 84 vota pro projektligjin për Amnistinë Penale.
Për shkak se amnistia kërkon shumicë të cilësuar, në votim mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili votoi pro projektligjit.
Ndërkohë, deputetët e opozitës nuk morën pjesë në proces, duke bojkotuar seancën.
Pro projektligjit votuan 81 deputetë të Partisë Socialiste të pranishëm në sallë, si dhe tre deputetë të Partisë Socialdemokrate, duke çuar numrin total të votave në 84.
Prej këtij vendimi, përfitojnë një numër i konsiderueshëm i personave të dënuar, të cilët lirohen menjëherë, dhe akoma më i lartë është numri i atyre që përfitojnë ulje dënimi.
Sapo Amnistia Penale të hyjë në fuqi, 380 persona fitojnë lirim të menjëhershëm, kurse 900 të tjerë ulje dënimi.
Para votimit, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se nga amnistia do të përfitojnë menjëherë 466 persona që do të lirohen nga institucionet e vuajtjes së dënimit, ndërsa 869 të dënuar të tjerë do të përfitojnë ulje të masës së dënimit.
Ligji synon të përfshijë të gjithë personat që janë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për dënime deri në tre vjet burg, për burrat, dhe deri në katër vjet për gratë, përfshirë edhe ato forma alternative të dënimit si gjoba ose shërbimi në komunitet.



